Tuesday, 20 February 2018

Apel

User Rating: 0 / 5

Star InactiveStar InactiveStar InactiveStar InactiveStar Inactive
 

 

Tiranë, 01.10.2012                                                                                                                             A P E L

NË MBËSHTETJE TË ISH-PËRSEKUTUARVE DHE TË DËNUARVE POLITIKË NË GREVËN E URISË

Prej më shumë se 1 jave, një grup prej 20 të përndjekurish politikë kanë nisur një grevë urie. Protesta e tyre ka për qëllim përmbushjen e disa kërkesave që lidhen si me statusin e të përdjekurit ashtu dhe me procesin e bllokuar të dëmshpërblimit. Revolta, dëshpërimi dhe lodhja mbizotërojnë në tendën e grevës – një tendë kjo e lënë në haresë nga autoritetet zyrtare në pushtet dhe krejt e neglizhuar nga ana mjeksore, dy shenja të qarta këto të moskokëçarjes së qeverisë për këtë shtresë. 

Vizita e Ambasadorit të SHBA, z. Arvizu, dhe ajo e Ambasadorit të Delegacionit të BE në Tiranë, z. Sequi, në tendën e “të harruarve” flet qartë për rëndësinë që merr zgjidhja e problematikës së kësaj shtrese për Shqipërinë. Mbështetja e kërkesave të grevistëve dhe qëndrimi krah tyre përcon një mesazh të fortë solidariteti lidhur me çështjen e përndjekjes politike: ka ardhur koha që ajo të zgjidhet me seriozitetin që meriton.

 

Përndjekja politike po i jep një mësim të fortë të gjithë aktorëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë në këtë vend: mos-zbatueshmërinë e ligjeve për dekomunistizimin dhe integrimin e viktimave të diktaturës komuniste, siç është Ligji Nr. 7514, datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë” (ndryshuar); e, Ligji Nr. 7748, datë 29.07.1993 “Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga regjimi komunist” (ndryshuar), dhe konventat nderkombetare kunder tortures dhe trajtimeve çnjerezore, te ratifikuara nga Shqiperia.  

Si pasojë e diktaturës së tejzgjatur jo vetëm u arrit të ndikohej në formimin e “njeriut të ri” komunist, por u orientua gjithashtu edhe drejtimi politik i vendit në vazhdim. Ne, në mënyrë të përsëritur në raportet tona jemi shprehur se “në institucionet shqiptare predominon ende mendësia e peridhës komuniste”.

Greva e fundit është një përgjigje e hidhur e dis-integrimit të kësaj shtrese të diskriminuar, që është lënë në mëshirë të fatit, pa asnjë përkrahje, e keqtrajtuar apo e përdorur politikisht.

Nga rreth 50.000 ish të burgosur e të internuar të cilët u liruan pas vitit 1991, shumica e tyre nuk jeton më. Besohet (pa konfirmim) se rreth 2.000 ish të burgosur politikë janë ende në jetë.

Dënimi i krimit komunist, integrimi i shtresës së të përndjekurve politik në shoqëri,  gjetja e eshtrave të rreth 5.000 të ekzekutuarve pa varr, mbeten tregues themelor për cilësinë me të cilën zbatohen standardet demokratike në këtë shtet.

Qendra Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe Torturës shpreh solidarizimin dhe alarmin ndaj neglizhencës dhe braktisjes nga ana e autoriteteve shtetërore jo vetëm të këtij grupi, por të klasës së ish të përndjekurve, te denuarve dhe të internuarve në Shqipëri.